Analisti Pano Soko rikthimin e Partisë Demokratike në komisionin për reformën territoriale e sheh si kthim në shina të logjikës politike dhe administrative.
Duke folur për “MCN Live” ai tha se reforma territoriale për shkak të impaktit dhe jetëgjatësisë, duhet minimalisht të ketë votëbesimin e gjithë krahëve politikë, teksa nënvizoi se ëndrra e Edi Ramës është të mos ketë fare bashki.
Soko shtoi se kemi 12 vjet që e kemi miratuar reformën territoriale dhe jemi penduar, sepse reforma u bë në mënyrë të njëanshme dhe gjithçka u bë për përfitim elektoral të një partie.
Sipas tij, Partia Demokratike nuk duhet ta bëjë prapë gabimin e braktisjes së komisionit, pasi reformat që braktisen na dëmtojnë.
Pse caktojmë ne komisione të posaçme? Se disa reforma janë të tilla, sa që impaktin nuk e kanë vetëm për jetëgjatësinë e një qeverie, por për një shtrirje kohore për një klasë politike, ndaj konsensusi duhet sa më i gjerë të jetë i mundur. Reforma territoriale për shkak të impaktit dhe jetëgjatësisë, duhet minimalisht të ketë votëbesimin e gjithë krahëve politikë.
Partia Demokratike ka detyrën e saj politike dhe ligjore që të paraqitet aty dhe të luftojë. Sepse unë e di që mazhoranca do tentojë që t’i intimidojë. Por opozita duhet të bëjë luftën e saj. Ne kemi 12 vjet që e kemi miratuar, dhe jemi penduar, sepse reforma u bë në mënyrë të njëanshme dhe gjithçka u bë për përfitim elektoral të një partie.
PD nuk duhet ta bëjë prapë gabimin e braktisjes së komisionit, se reformat që braktisen na dëmtojnë. Ëndrra e Ramës është të mos kemi fare bashki. Por të kemi degën e X apo Y ministrie. Ky tashmë i ka uzurpuar bashkitë, por do ta bëjë dhe ligjërisht. Se me këto agjencitë qeveritare ai ua ka marrë kompetencat bashkive.



