
Presidenti Ilir Meta vlerëson se angazhimi i faktorit ndërkombëtar do të ishte një hap pozitiv për fazat e tjera të gjykimit të ngjarjeve që lidhen me Kumanovën.
Meta: Pa diskutim që vlerësoj se edhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar, që reformën në drejtësi dhe performancën e institucioneve të drejtësisë e ka në qendër të vëmendjes. Besoj që angazhimi i faktorit ndërkombëtar do të ishte një veprim pozitiv për rritje e transparencës në fazat tjera të gjykimit të kësaj çështjeje dhe për të garantuar një drejtësi të standardeve evropiane larg çdo lloj paragjykimi apo qëndrimi që krijon mosbesim.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Meta foli dhe për ligjin që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni.
Meta: Unë besoj se çështja e ligjit të gjuhëve është në proces, ne kemi diskutuar edhe me autoritet maqedonase edhe me te gjithë drejtuesit e forcave politik shqiptare këtu, po kështu në këtë drejtim ka dhe një angazhim të faktorit ndërkombëtar, pra është një proces më kompleks. Kemi marrë garanci edhe nga përfaqësuesit e forcave politike shqiptare, jo vetëm ata që janë në qeveri, por edhe ata në opozitë se do të bëjnë më të mirën për të arritur maksimumin në këtë drejtim dhe shpresoj që në fund të kemi një legjislacion, i cili sjell një arritje pozitive dhe shumë të pritur për gjithë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë.
Sa i takon çështjes së pajisjes së qytetarëve të Kosovës me pasaporta shqiptare, Meta ripërsëriti qëndrimin se një hap i tillë jo vetëm që nuk do të zgjidhte problemin me vizat në Kosovë, por mund të sillte pasoja dhe për Shqipërinë.
Meta: E kam mirëkuptuar kërkesën publike të presidentit Thaçi si një apel për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së liberalizimit të vizave dhe jo si një alternativë reale për tejkalimin e këtij ngërçi apo izolimi të qytetarëve të Kosovës nga një proces ku janë përfshirë gjithë vendet e rajonit prej kohësh. Sepse jo vetëm që nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të kenë kenë pengesë, por njëkohësisht besoj se marrja e shtetësisë shqiptare nuk do të ishte asnjë zgjidhje për të lehtësuar lëvizjen e tyre drejt vendeve të zonës Shengen për arsye se vetë Shqipëria është një vend i detyruar të tregojë kujdes të vazhdueshëm sa i takon gjithë detyrimeve që burojnë nga zbatimi i liberalizimit të vizave.
Pra, do të ishte një lëvizje joproduktive, një lëvizje joracionale dhe nga e cila jo vetëm që qytetarët e Kosovës që nuk do të përfitonin, por mund të dëmtoheshin edhe ata të Shqipërisë. Kështu që besoj se ky qëndrim është një mesazh për një sensibilizim më të madh edhe ndërkombëtar, besoj edhe evropian për t’i dhënë zgjedhje kësaj çështjeje, e cila sikurse e dimë është lidhur prej disa kohësh me një çështje tjetër që është ajo e zgjidhjes së demarkacionit me Malin e Zi. Unë besoj dhe uroj se pas përfundimit të zgjedhjeve vendore në Kosovë qeveria e re e Kosovës në bashkëpunim edhe me opozitën të gjejë bashkëpunim për të ecur përpara dhe për të zgjidhur, jo vetëm çështjen e demarkacionit përfundimisht me Malin e Zi, por edhe për të pasur mundësinë për të përfituar nga liberalizimi i vizave të gjithë qytetarët e Kosovës.



