Zoran Zaev ka shtyrë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate (LSDM), deri në stabilizimin e vendit.
Kjo do të thotë se do të bëhet votëbesimi ndaj Qeverisë.
Zaevi kishte paraqitur dorëheqjen më 31 tetor për shkak të humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet lokale.
Ai dorëheqjen nuk e kishte dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa mbrëmjen e 9 nëntorit, organet më të larta të LSDM-së vendosën që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të siç u tha, “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”. LSDM e autorizon Zaevin edhe për të negociuar rritjen e shumicës parlamentare.
“Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi, Komiteti Qendror i partisë vendosi që të shtyhet dorëheqja. Organet e partisë vendosëm njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e gjendjes në vend. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.
Ai nuk saktësoi se për sa kohë do të shtyhet dorëheqja e Zaevit, por tha se Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidave të mëdha, përfshirë dhe pritjet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në një prononcim të shkurtër për media nuk ka dashur të komentojë se çfarë do të thotë dorëheqja e shtyrë në kohë të pacaktuar dhe as deri kur do të bëhet si e tillë.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe do të punohet në ruajtjen e shumicës parlamentare.
Seanca e kuvendit është caktuar për të enjten, por jozyrtarisht bëhet e ditur se ajo mund të shtyhet për të shtunën për shkak të një nisme të re.
Për këtë çështje pritet që gjatë 10 nëntorit të sqarohen pozicionet e palëve kur edhe do të dihet nëse seanca do të mbahet të enjten apo të shtunën.
Për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 aq sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.



