Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministrin Rama se ka shkatërruar sistemin e drejtësisë. Duke folur në foltoren e Kuvendit, edhe pse seanca u deklarua e mbyllur nga kryetari Ruçi, Berisha u shpreh se shkatërrimi i sistemit të drejtësisë do të bëhet pengesë për hapjen e negociatave.
“Gjykata Kushtetuese është garant i Kushtetutës. Ku është ajo sot? Nuk ekziston. Kush mbeti garant i saj? Dhunuesi i saj. Edi Rama ka pushtetin e Gjykatës Kushtetuese. Sot është vendosur kodi i mafias me këtë grusht shteti që është në kryer. Jo në 2018, as 2019, as 2020 nuk hapen negociatat. Nuk hapen ato kur ke kryer grusht shteti, kur ke shndërruar drejtësinë në një degë të ekzekutivit. Opozita ishte për vetingun, por jo për atë të gjuetisë së shtrigave. Ne ishim për vetingun që u jep shqiptarëve drejtësinë që meritojnë”, tha Berisha.
Deputetët e opozitës vijojnë të qëndrojnë në sallë, pavarësisht se kryetari Ruçi e deklaroi të mbyllur seancën e sotme, e cila u karakterizua nga bllokime të shpeshta të foltores dhe ndërprerje.
Deputetët e PD-së dhe LSI po i përcjellin fjalimet e tyre nëpërmjet rrjeteve sociale.



