
Deputetët e opozitës në Komisionin për Punët e Jashtme kanë kërkuar një interpelancë me ministrin Bushati në lidhje me marrëveshjen e detit me Greqinë.
Në një kërkesë drejtuar kryetares së komisionit, Mimi Kodheli, deputetët e PD-së dhe LSI-së kërkojnë një seancë dëgjimore lidhur me “delimitimin e hapësirave detare ndërmjet dy vendeve, si dhe në mungesën totale të transparencës nga ana e Qeverisë Shqiptare dhe përkatësisht të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme”.
Në kërkesën që mban firmën e shtatë deputetëve thuhet se thirrja e Bushatit bëhet me qëllim sqarimin e opinionit publik në lidhje me marrëveshjen me homologun Kocias për delimitimin e kufijve detarë mes dy vendeve.
Pyetjet e ngritura nga deputetët e opozitës
a. Përse një marrëveshje e tillë zhvillohet në një mungesë totale të infomimit të institucioneve kryesore të vendit, Kuvendi i Shqipërisë, Opozita, Shoqëria Civile?
b. Tashme që u qartësua fakti i mos pasjes akoma të Plotfuqishmërisë, në kërkojmë të dimë edhe vlerësimin tuaj për këtë situatë jo normale, si dhe për vlefshmërinë e procedurave të ndjekura deri më tani?
c.A është kordinuar me Presidentin për hapat e deri tanishme dhe mbi cbaze legale janë bërë ato, sidoqofte përgjigja për pjesën e parë?
d. Cili është grupi negociator, çfarë përbërje ka, cili është niveli i përfaqësimit në këtë grup i ekspertëve të fushave, i ekspertëve nga opozita dhe nga shoqëria civile, në mënyrë që ky grup të jetë i pakontestueshëm dhe të përfaqësojë në mënyrë të drejtë të gjithë interesat kombëtare?
e. Nëse është ngritur ky grup ekspertësh për të negociuar, cili është tagri që ka ky grup? Cilat zona po delimitohen dhe a duhej të përcaktoheshin më parë ato në aktin e Plotfuqishmërisë së Presidentit të Republikës?
f. Nëse është arritur marrëveshja në nivel politik sikurse është deklaruar nga ana e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Greqisë, a është kjo një shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kur ka munguar edhe plotfuqishmëria e presidentit?
g. Nëse marrëveshja është arritur në nivel politike, çfarë u ngelet ekspertëve të bëjnë? Thjesht certifikimin e marrëveshjes politike në një kohë kur duhet të jetë e kundërta, bëhen negociatat në nivel eksperti e më pas nënshkruhet marrëveshja politikisht.



