
Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu së bashku me tre të arrestuarit e tjerë dolën sot para Gjykatës së shkallës së Parë të Tiranës, për vlerësimin e masës së sigurisë.
Prokuroria në pretencën e saj ka kërkuar arrest shtëpie për ish-deputetin Balliu ndërsa ‘arrest me burg’ për tre të ndaluarit e tjerë.
Klevis Balliu u arrestua dy ditë më parë gjatë përplasjeve mes banorëve të Astirit dhe policisë tek Unaza e re. Banorët kishin dalë në protestë për të penguar kryeministrin Edi Rama të kalonte në atë zonë.Përplasja vijoi më pas para ambienteve të policisë, ku policia kishte shoqëruar të ndaluarit.
Sipas policisë ndaj ish-deputetit Balliu dhe tre banorëve të tjerë rëndojnë 6 akuza midis të cilave kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik, goditje për shkak të detyrës, organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit si dhe prishja e qetësisë publike dhe shkatërrimi i pronës.



