
Për Jonila Godolen, drejtoreshën e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, ne mund të bëjmë ligje që të ndalojmë çfarë të duam lidhur me hapjen ose jo të dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, por ngriti si shqetësim mungesën e interesit nga rinia.
Godole tha në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, se ajo që e shqetëson është se çfarë duhet të bëjmë që të kemi një rini më të interesuar për të shkuarën, që ta thotë se ‘nuk e marr si model Enver Hoxhën, se i shoh pasojat’.
Nuk e kuptoj se si mund të jetë një brez absolutisht i painteresuar për të shkuarën. Ka shtëpi botuese që kanë libra objektiv për historinë, por jo të gjitha shkollat e marrin atë.
Një marrëveshje që ka qenë me Institutin e Sigurimit të Krimeve nuk ka funksionuar deri tani, që të kishim një tekst shoqërues për diktaturën në Shqipëri. Është futur holokausti në shkolla, por edhe në rastin e Shqipërisë kështu ka qenë edhe komunizmi.
Jo ndaj hebrenjve, por një energji kriminale ndaj vetë shqiptarëve, nëse do donte një ministër Arsimi nga ‘90-ta deri më sot, ne nuk do flisnim më për një ligj që ta ndalojë ose jo, se ne do kishim një shoqëri aq të kultivuar, sa do e kishim klasën politike të pastruar.
Ne e kemi historinë aty, duhet ta mësojmë, se nuk e shkulim dot. Ne nuk kishim komunizëm, kishim stalinizëm. Se ndërkohë që statujat e Stalinit ranë kudo, ne i mbajtëm.
Ranë në ‘91-in. I vetmi vend në botë që e ruajti stalinizmin.



