
Delegacioni i Bashkimit Evropian në një deklaratë për mediat u bën thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje.
"Protesta paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Dhuna nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Duke pasur parasysh protestat e shpallura sot dhe në ditët e ardhshme në Tiranë, Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje. Pikëpamjet e ndryshme politike duhet të trajtohen përmes debatit dhe dialogut."
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca ka reaguar në rrjetet sociale pas sulmit të protestuesve ndaj ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt, duke shkruar se: “E dënojmë me gjithë zemër frikësimin që i është bërë ambasadorit të OSBE në Tiranë Bernd Borchardt. Dënojmë grafitet dhe të gjitha mënyrat e tjera që janë përdorur kundër tij, kundër autoritetit të tij zyrtar. Nuk ka vend për veprime të tilla në një demokraci moderne”.



