
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo deklaron se qeveria Rama vazhdon të thyejë rekorde në vend-numëro dhe mbrapa-ecje.
Në një komunikim me mediat ai tha se Eurostat, në një klasifikim të fundit, e rendit vendin tonë në bisht të Europës në të ardhurat për frymë për vitin 2021, gjë që do të thotë se mesatarja e të ardhurave të një shqiptari është sa 32 për qind e një qytetari europian, ose më shumë se tri herë më pak.
Sipas tij, Shqipëria renditet më poshtë se të gjitha vendet e rajonit duke ndjekur madje edhe vende të pastabilizuara politikisht si Bosnje Hercegovina.
Maqedonia është 10 pikë përqindje më lart se Shqipëria. Serbia 12 pikë më lart. Mali i Zi kryeson rajonin, duke shënuar thuajse gjysmën e të ardhurave për frymë të mesatares së BE.
Për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për antarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet plot një shekull.
Edhe në konsumin individual për frymë, që tregon fuqinë blerëse të qytetarëve dhe mirëqenien e një vendi Shqipëria është e fundit. Jemi të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare.
Pra, siç shihet ‘qentë lehin, por karvani nuk bën përpara’. Shifrat e Eurostat-it e bëjnë me dije fort mirë se kush janë qentë.



