Kreu i PD Sali Berisha tha sot se kryeministri Rama është i shqetësuar pasi sipas tij laptopi i Engjell Agaçit është në SPAK, si dhe për shkak të dosjes McGonigal.
Gjatë fjalës së mbajtur sot në seancën e Kuvendit, kryedemokrati Berisha tha që "laptopi ka të gjitha vjedhjet e Ramës me grupin e tij”.
"Tani, e dyta, laptopi është në prokurori. Ta dini mirë. Jeni të pashpresë. Laptopi është në prokurori. Prandaj thirreni më mirë të vijë se sa t’u nxjerrë laptopi një nga një ju. Laptopi ka të gjitha vjedhjet e tmerrshme që ka bërë Edi Rama me grupin e tij. Problemi i dytë i madh i dezekulibrimit të tij është dosja McGonigal. Ajo po shpërthen.
Damian, unë e di që ke thënë se të ka urdhëruar Edi Rama, por ka një ligj që thotë, urdhrat e paligjshëm mos i zbato. Prandaj mos kujto se je krejt mënjanë ti. Absolutisht jo. Edhe mbrëmë të doli emri, një ministër e shoqëronte. A e kuptoni ju që keni në krye një njeri që korruptoi shefin e kryeinteligjencës së SHBA? Dhe një nga ata që bëri gjahun e shtrigave ndaj presidentit Donald Trump.
Çfarë mendoni ju se do mbyllet ajo siç u mbyll? Jo, absolutisht ajo dosje nuk mbyllet. Damian, shko ku të duash, edhe në malin Atos po të shkosh, dëshmitar do të thirresh për Edi Ramën sepse është akti më flagrant i korrupsionit. I ka dhënë 225 mijë dollarë nga zyra e tij. Ato nuk ia ke dhënë ti, nuk them se ia ke dhënë ti. Por, po të pasur dijeni, ke dijeni të plotë për çdo gjë. Ndaj të garantoj se dëshmitarin e ke të sigurt, mos edhe më shumë. Më mirë pentito.
Pra, miq, e shihni se si është shkallmuar. Prisni kur t’i bjerë tavolinës me kokë tani. Jo me grusht, me kokë. Kur nuk ke asnjë parim, kur je i aftë të kryesh çdo krim, del një ditë ajo. Së treti, janë 10 milionë dollarë dhe ajo është vetëm maja e ajsbergut, që janë dhënë për reformën në drejtësi Delina Ficos.
Se sa ka marrë Linda Rama nga paratë e taksapaguesve, nuk e di njeri, por edhe ajo do dalë. Prandaj të sillet ligji i desorofikimit të vendit këtu. Të presim me gërshërët e ligjit çdo lidhje me monstrën e njerëzimit, Xhorxh Soros dhe paratë e tij toksike.
Pse do mbani të gjithë ju këtë barrë të rëndë, kur një pjesë nuk keni lidhje me Sorosin? Pse do mbani mëkatet e tmerrshme të Edi Ramës? Pse do mbani ju aktakuzat e rënda të laptopit të Engjëll Agaçit? Pse do mbani ju marrëdhënien kriminale të tij me McGonigalin? Është koha, secili prej jush të zgjohet".



