Sekretari për Diasporën i PD-së Indrit Hoxha ka shpalosur përmes një opinioni tri argumente pse sipas tij të gjithë drejtuesit e PD-së duhet të jenë në listat e hapura në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Hoxha argumenton se së pari se që nga sekretari i përgjithshëm, dhe figurat kryesore, duhet të jenë në lista pasi kjo lëvizje “përbën të vetmin mekanizëm që PD të mobilizohet për fitore, me qëllim rotacionin”.
“Shansi i vetëm që mund t’i bëjë gati për ketë rifillim është futja në listat e hapura e të gjithë heierarkeve të Partisë Demokratike, nga nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm e deri në nivelet e tjera më poshtë. Kurse Sali Berisha le ta marrë vetë atë vendim nëse do të qëndrojë në lista të hapura apo të mbyllura”, shprehet ai.
Hoxha thotë se argumenti i dytë “është i natyrës parimore” dhe lidhet me “sakrificën”. “Kjo mund të jetë edhe një mesazh për demokratët që kanë sakrifikuar dhe i duhet të dalë dikush në ballë të kësaj sakrifice në rajonin apo qarkun e vet ku ka influencë, ku ka lidhje, ku ka kontribut politik apo ku ka reputacion në komunitet”, thotë ai.
Hoxha përmend si argument të tjerë faktin që “me listat e mbyllura të Partisë Demokratike ka një problem të madh të shoqërisë shqiptare qe duhet ta zgjidhe me anë të kësaj liste”.
“Listat e mbyllura duhet të vihen në funksion të hapjes ndaj shoqërisë, së Partisë Demokratike, hapjeje ndaj intelektualëve, akademikëve, njerëzve me influencë, apo njerëzve të tjerë që do të vijnë nga diaspora. Të cilët për një arsye apo një tjetër, ngaqë nuk bëjnë dot jetë partie, meritojnë të japin kapitalin e tyre personal dhe moral në Partinë Demokratike”.



