Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deputeti Olsi Komici prezantoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’”, të ndryshuar.
Në fjalën e tij hyrëse, Komici theksoi se projektligji synon korrigjimin e paqartësive ligjore dhe plotësimin e boshllëqeve normative të evidentuara gjatë zbatimit të reformës në drejtësi. Sipas tij, ndryshimet e propozuara kanë për qëllim rritjen e efektivitetit, transparencës dhe integritetit në qeverisjen e sistemit të drejtësisë.
Një nga pikat kryesore të nismës ligjore është shtrirja e procesit të vetingut edhe te anëtarët jo-magjistratë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), me synimin për të forcuar besimin publik në këto institucione.
Komici bëri të ditur se nisma është hartuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të drejtat
Projektligji, i cili përbëhet nga 38 nene, parashikon që edhe anëtarët jo-magjistratë, qoftë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, po ashtu edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të kalojnë nëpër filtra të thelluar verifikimi, të ngjashëm me procesin e vetingut të magjistratëve.
Ky mekanizëm synon krijimin e një barazie mes anëtarëve magjistratë dhe atyre jo-magjistratë dhe garantimin e integritetit institucional.
Sipas Komicit, procedura për përzgjedhjen e kandidatëve nga fusha e avokatisë fillon nga Avokati i Popullit, vijon me një verifikim të detajuar nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc, i cili ka kompetenca të zgjeruara për akses në të gjitha institucionet shtetërore dhe subjekte private, për të kontrolluar kriteret e pasurisë dhe figurës. Bazë e këtij verifikimi janë raportet e ILDKPKI-së dhe AKSIK-ut.
Pas përfundimit të këtij procesi, kandidatët e kalifikuar ose të skualifikuar shqyrtohen në një filtër të dytë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, i cili kontrollon përputhshmërinë e raportit me dokumentacionin e dosjes.
E njëjta procedurë zbatohet për kandidatët që vijnë nga fusha e pedagogëve, ku kompetenca të zgjeruara marrin Dekani dhe Këshilli i Shkollës së Magjistraturës, si dhe Komisioni Ad Hoc, i cili kryen verifikime të detajuara dhe administron raportet përfundimtare të ILDKPKI-së dhe AKSIK-ut.
Komici theksoi se, ndryshimet ligjore synojnë të rrisin besueshmërinë, transparencën dhe standardet e integritetit për të gjithë anëtarët jo-magjistratë të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.



