Në zonën e Astirit nuk është shembur ende asnjë objekt, pavarësisht pretendimit të kryebashkiakut Veliaj. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat, Klevis Balliu, e cilësoi mashtrim publikimin e disa fotove, që sipas kryebashkiakut Veliaj u përkasin dy familjeve që janë strehuar në banesat sociale.
“Fotografia e nxjerrë nga Bashkia e Tiranës është një godinë në Laprakë dhe jo në zonën e Astirit. Në këtë zonë nuk është shkatërruar asnjë shtëpi”, tha Balliu.
Deputetët Edi Paloka dhe Klevis Balliu iu bashkuan protestuesve të zonës së Astirit, të cilët vijojnë të rrinë në rrugë, ndërkohë që në segmentin që do të zgjerohet ka nisur të hiqet ndriçimi i rrugës.
Një ditë më parë, kryebashkiaku Veliaj postoi në profilin e tij në Facebook fotot e disa banesave që po shembeshin.
“Mirënjohje 2 familjeve të para që pranuan sonte prishjen e 2 banesave pa leje në Unazën e Re në shkëmbim të banesave sociale. Më mirë për ato të 2-ja e më mirë për 200 mijë shoferë që do kenë Unazën e Re.Një qytet që s’ka të humbur e që s’e lejon politikën ta përdorë! FORCA!”, shkroi ai.



