Historiani Paskal Milo, për fitoren e Recep Tayyip Erdogan thotë se Turqia historikisht nuk është shquar si një model demokracie pasi ka patur gjithnjë një regjim hibrid.
Nga studio e lajmeve të MCN Tv, ai deklaroi se përgjithësisht pas luftës së dytë botërore, në Turqi është bërë një alternim mes gjeneralëve që e kanë marrë pushtetin me grushte shteti dhe politikanë civilë në momentin kur ushtarakët janë dorëzuar para sfidave që nuk i mbanin dot, kanë ardhur në pushtet.
Kemi një fenomen të ri në 20 e ca vitet e fundit ku një lider i fuqishëm që kombinoi filozofinë e tij politike me një radikalizëm të forcojë pozitën e vetë si njeriu më i fuqishëm që ka qëndruar më gjatë pas Qemal Ataturkut në Turqi.
Ataturk njihet si themelues i shtetit modern të Turqisë dhe e bën lider të pëlqyeshëm dhe të mbështetur.
Nuk e di, Erdoganin e cilësoj një politikan shumë të fortë që patjetër ka kontribuar në stabilitetin e Turqisë, pavarësisht ndarjes që ekziston mes dy kampeve, por Erdogan tregoi aftësitë e tij si shtetar dhe që di të mbajë pushtetin e tij përballë rivalëve.
Në vijim Milo tha se në politikën e jashtme të Turqisë në raport me Ballkanin ka ekzistuar politika ose frymëzimi neo-otoman dhe kjo është e padiskutueshme.
Ish-ministri i Jashtëm i Erdogan vite të shkuara në librin e tij “Thellësia strategjike”, ka prezantuar pikërisht strategjinë e neo-otomanizmit, ku Ballkani ishte në qendër të tij.
Mund të mos quhet neo-otomanizëm, por është e qartë që Turqia ka rrënjë historike në Ballkan dhe synon ti ruajë dhe forcojë pozitat e saj në Ballkan.
Kjo është e dukshme në politikën e Turqisë, në raport me Ballkanin ku kam parasysh Shqipërinë, Kosovën Bosnjë Hercegovinën dhe në përgjithësi Ballkanin se Turqia është një shtet i madh që kërkon të luajë një rol po kaq të madh në mos më shumë në arenën ndërkombëtare, në rajonin e Mesdheut dhe Ballkanit.
Për rikonfirmimin e Erdogan në Turqi dhe në Greqi të Kyriako Mitsotakis, Milo deklaroi se Egjeu përgjithësisht ka qenë një arenë tensioni në marrëdhëniet mes dy vendeve, sidomos në katër vjeçarin e fundit.
Ka qenë dhe mbetet se aty ka pretendime nga të dy palët që kanë rrënjë historike që e kanë origjinën në traktatin e Lozanës të 1923, kur u fiksua armëpushimi pas një lufte greko-turke që solli pasojat e saj për të dy vendet dhe në mënyrë të veçantë për Greqinë.
Kam përshtypjen se Egjeu do të vazhdojë dhe në të ardhmen të jetë një arenë fërkimesh mes Greqisë dhe Turqisë, por deri në një nivel të caktuar se të dy vendet e kanë shumë të qartë se një përplasje përtej një konflikti të zakonshëm, nuk do ketë fitues sepse të dy vendet do jenë anëtare të NATO-s dhe do ta interpretojnë luftën në bazë të artikullit 5 të traktatit të NATO-s do krijonte një konjukturë ndërkombëtare konfliktuale që do acaronte situatën në një zonë që është shumë delikate dhe strategjike, kryqëzimi për Lindjen e Mesme, Ballkanin.



