
Për herë të parë që pas zgjedhjes së kryebashkiakëve të rinj, në garën e 14 majit, kryeministri Edi Rama mblodhi në Shkodër krerët e bashkive dhe kabinetin qeveritar për të kaluar në sitë financat e pushtetit vendor.
Ftesa i shkoi edhe kryebashkiakëve të dalë nga opozita, të cilët treguan se kur vjen puna te financat, politika kalon në plan të dytë.
Pas takimit me kryebashkiakët të Kryeministrit Rama, krerët e bashkive të opozitës deklaruan se morën pjesë në këtë takim si përfaqësues të qytetarëve ndërsa presin investime nga qeveria në zonat ku ata drejtojnë.
Kryetari i bashkisë Kavajë Fisnik Qosja dhe kryebashkiaku i Fushë Arrësit Hilë Curri u shprehën se kanë besim se qeveria, pavarësisht ndasive politike që kanë do të realizojë investimet e kërkuara ndërsa u shprehën pozitiv dhe optimist në këtë bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
“Nuk e pamë në aspektin politik sepse problemet e qytetarëve janë më të rëndësishme. Diskutuam shumë, sepse bashkitë e vogla kanë paga më të ulëta, kanë shpërndarjen e buxhetit në bazë të numrit të popullsisë, që nuk i favorizon. Ne jemi përfaqësues të qytetarëve, duhet të jemi kur kryeministri dhe ministrat na kërkojnë për takime. Performancën më të mirë do ta ketë një bashki e madhe. Nëse shpërndarja do jetë ndryshe me anë të riskut që ka një bashki, do të ndryshojë treguesi i performancës. Ka bashki që kanë teprica në buxheti, kurse ne jemi me mungesa”, tha kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Curri
Të pranishëm nga kryebashkiakët e opozitës në takimin me kryeministrin ishin edhe kryebashkiaku i Pukës Rrok Doda, ai i Memaliaj Albert Malaj dhe i Hasit Miftar Dauti.



