
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ndodhet në një vizitë dy ditore në Bullgari. Meta u ftua nga kreu i shtetit bullgar, Rumen Radev.
Ceremonia e pritjes së presidentit shqiptar u bë përpara kishës “Shën Aleksandër Nevski”, ku të dy homologët vendosën kurorë me lule në Monumentin e Ushtarit të Panjohur.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se ndihet “i nderuar nga ceremonia shtetërore e pritjes së Presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev!”.
Radev dhe Meta do të bisedojnë me dyer të mbyllura, ku më pas do të vijojnë takimet plenare midis dy delegacioneve.
Presidentët do të fokusohen në temat e bashkëpunimit dypalësh, partneritetit rajonal në Evropën Juglindore dhe rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë dy vite më parë, Radev deklaroi se Bullgaria mbështet të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe kriteri kryesor për këtë qëndrim është vendimi i autoriteteve zyrtare ndaj minoritetit bullgar në Shqipëri.



