Në të njëjtën linjë me kryeministrin, edhe deputeti socialist Fatmit Xhafaj, i cili aktualisht drejton Komisionin e Posaçëm të Reformës komentoi këtë të shtunë procesin ndaj kryebashkiakut Veliaj, duke thyer angazhimin se mazhoranca nuk komenton vendimet e drejtësisë.
Me një stërhollim të gjatë politik dhe ligjor Xhafa gjen parregullsi në procedurat që çuan në qeli Erion Veliajn.
Kam pikëpyetjet e mia mbi mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar në këtë çështje penale. Druaj se jemi para rastit ku investigohet e hetohet personi dhe jeta e tij, për të gjetur fakte penale në ngarkim të tij dhe jo përpara asaj çfarë ligji lejon e kërkon, pra që hetohet vepra penale konkrete dhe prej saj shkohet te përgjegjësia e personit konkret të cilin gjithsesi të fajshëm apo jo e përcakton vendimmarrja gjyqësore e të dy shkallëve dhe jo hetuesi e prokurori. Duke lexuar vendimin gjyqësor që ka pranuar e certifikuar kërkesën e prokurorit për masë sigurie ‘arrest me burg’ bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedural.
Xhafaj thotë se Veliaj është nga ata zyrtarë që nuk ka futur duart në paratë publike, duke e quajtur arrestimin e tij goditje nën brez e SPAK-ut.
Personalisht bëj pjesë tek të gjithë ata që besojnë që Erion Veliaj, për aq sa e njoh dhe si e njoh, nuk është një zyrtar i korruptuar. Askush nuk ëhstë i pagabueshëm, por nuk i shoh gabimet e tij edhe nëse janë të tilla, si qasje korruptive. Duke i shprehur mbështetjen time Erionit në betejën e tij ligjore e politike, i kërkoj atij edhe në kushtet aktuale të izolimit, të bëjë transparencën e plotë për akuzat e ngritura si detyrim ndaj opinionit publik, qytetarëve e zgjedhësve të tij të Tiranës, si dhe përballë gjyqtarëve që do t’a gjykojnë e vendosin për të vërtetën e tij.
Si drejtues i Komisionit të posaçëm të thellimit në reformën në drejtësi deputeti socialist i njohur si mik i ngushtë i Veliajt duket se ka një mesazh për institucionet e drejtësisë përfshi Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektoriatin e lartë të drejtësisë.
Është kjo qasje një ndër arsyet e problematikave që konstatohen lidhur me cilësinë e dobët të qeverisjes së brendshme të vetë sistemit nga KLGj e KLP, të kontrollit të brendshëm të tij nga ILD, cilësinë e dobët të hetimeve e gjykimeve, zvarritjen e tejzgjatjen kohore të proceseve gjyqësore penale, civile e sidomos atyre administrative, mungesave në aksesin dhe shërbimet që ju ofrohen qytetarëve etj. Është kjo arsyeja që ne në kuadër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, një komponent të veçantë ia kemi dedikuar drejtësisë.
Kujtojmë se Fatmir Xhafaj ka drejtuar komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi dhe është përballur në atë kohë me akuza të opozitës se përshtati ligjet e vendit në mënyrë që të mos penalizohej vëllai i tij i akuzuar në Itali për trafik droge. Ndërkohë kjo ishte një ndër akuzat që Xhafaj dha dorëheqje edhe nga posti që mori më pas si ministër i brendshëm.



