Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, pas një seance maratonë për gati 10 orë, shkarkoi pas mesnate dy ministrat shqiptarë Fatmir Mexhitin dhe Azir Aliun nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Parlamenti miratoi shkarkimin e dy ministrave me 62 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Në votim nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare, shkruajën mediat maqedonase.
Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi i cili nga foltorja e kuvendit sot duke e sqaruar propozimin për shkarkimin tha se sipas ligjit, nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të Qeverisë dhe se ky është shkaku kryesor pse është propozuar shkarkimi i dy ministrave.
Seanca për shkarkimin e dy ministrave Fatmir Mexhiti (ministër Shëndetësie) dhe Azir Aliu (ministër për Shoqërinë Informatike dhe Administratën) nga Partia Aleanca për Shqiptarët nisi pasditen e së premtes me kërkesë të ish-kryetarit të kësaj partie, Ziadin Sela, pas përplasjeve me kreun aktual, Arben Taravari.
Për ministër të ri të Shëndetësisë është propozuar drejtori i Spitalit Klinik në Tetovë, Ilir Demiri, ndërsa për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Naim Bajrami.
Para votimit ka folur ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu, i cili ka paraqitur shumë informacione për pengesat që ka pasur, siç tha ai, nga ana e BDI-së, por edhe për atë që ka ndodhur javën e kaluar pas publikimit të informacionit se Aleanca për Shqiptarët do të mbështesë opozitën.
Ne, theksoi Aliu, që kur kemi hyrë në Qeveri kemi thënë se do të jemi opozitë në Qeveri dhe jemi krenarë për këtë.
Ai e akuzoi ministrin e Sistemit Politik nga radhët e BDI-së, Artan Grubi se i ka sjellë vendimet për shkarkimin e kuadrove të Aleancës për Shqiptarët të cilët nuk e mbështetën BDI-në.
Për VMRO-DPMNE-në opozitare është e qartë se shkarkimi i ministrave bëhet me udhëzim të BDI-së, ndërkaq nga LSDM thonë se partia opozitare nuk ka votuar për ministrat e saja, për atë nuk kanë kredibilitet të komentojnë për shkarkimin.
Më herët edhe ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dha shpjegim para deputetëve për shkarkimin e tij.
Ai akuzoi BDI-në për sjellje destruktive dhe se avokon partishmërinë, në kurriz të interesave të qytetarëve.
Vazhdimi i seancës do të vazhdojë të hënën, në ora 11:00 ku pritet emërimi i dy pasardhësve të Aliut dhe Mexhitit. Naim Bajrami në informatikë dhe Ilir Demiri në shëndetësi.



