
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 27 gusht se propozon Ana Bërnabiçin në postin e kryeministres së Qeverisë së re të Serbisë, njofton B92.
Në një konferencë për media në Beograd, Vuçiç tha se vendimi për mandatarin e ri të Qeverisë ishte një vendim i ndërlikuar.
Ai tha se Bërnabiç nuk do të jetë në krye të ekzekutivit për një mandat të plotë dhe paralajmëroi se më 2024 do të ketë ndryshime në Qeverinë serbe.
Është shumë e rëndësishme që ajo të mbetet kryeministre në mënyrë që ne të vazhdojmë dhe të punojmë me zell për zgjidhjen e problemeve në vjeshtë dhe dimër të këtij viti. Është e rëndësishme që dikush që ka përvojë dhe në të cilin kam besim mund ta bëjë këtë në këtë moment.
Bërnabiç ka qenë në krye të Qeverisë serbe në mandatin e kaluar dhe ishte mandatar nga partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe.
Qeveria serbe zgjidhet në Kuvend pas propozimit të kandidatit për kryeministër. Kuvendi më pas voton për zgjedhjen e kabinetit qeverisës.
Partia Përparimtare Serbe (SNS) së bashku me partneren e saj tradicionale, Partinë Socialiste të Serbisë, kanë shumicën në Kuvend.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi u organizuan më 3 prill, ndërsa rezultatet përfundimtare u morën pas votimit të pestë në Tërnoc të Madh më 3 korrik, ku zgjedhjet u përsëritën disa here për shkak të kundërshtimeve.



