
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është takuar ditën e sotme me Drejtorin për Europën të Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy, me të cilin thotë se ndanë vlerësime për demokracinë në Shqipëri dhe për zhvillimet aktuale në rajonin tonë. Meta shprehet se bashkëpunimi mes Partisë së Lirisë dhe IRI ka qenë veçanërisht i frytshëm për rritjen e kapaciteteve të rinisë, vajzave e zonjave të angazhuara në forume. Në vijim deklaron se do të vazhdojnë këtë bashkëpunim edhe më tej, duke mundësuar asistencë amerikane për të zgjedhurit e Partisë së Lirisë në këshillat bashkiakë gjatë këtij mandati që sapo kanë filluar. “Rikthimi i llogaridhënies në pushtetin vendor është prioritet kyç për Partinë e Lirisë ndaj dhe rritja e mbështetjes për këshilltarët tanë të zgjedhur është shumë e mirëpritur. E falenderova Drejtorin McCarthy për aktivitetin e IRI në Shqipëri në mbështetje të partive politike, duke shprehur kërkesën për programe të veçanta në fushën e luftës ndaj korrupsionit dhe rikthimit të llogaridhënies, si dy faktorë kyç ndikues në shpopullimin masiv të vendit.”



