
Akuza për kreun e SPAK, Altin Dumani dhe kreun e qeverisë Edi Rama, janë hedhur nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili u mor i pandehur dy ditë më parë lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Në një komunikim me mediat ditën e sotme, Berisha deklaroi se kur zbatimin e ligjit e shpall shkelje të ligjit dhe nuk ndalesh para asgjëje, bëhesh më hajdut se hajduti, më vrasës se sa vrasësi dhe të tillë janë sot anëtarët e organizatës kriminale “Skapi i partisë” apo prokurorisë private të Edi Ramës, të cilët Juri Kim ua serviri shqiptarëve si heronjtë e fëmijëve të tyre, por në fakt janë monstrat me raste konkrete të fëmijëve tanë, përfshi këtu fëmijët autikë”.
Këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse këta jo vetëm amnistojnë me urdhër dhe kundrejt pagesës zyrtarë kriminelë që me vjedhjet e tyre kanë shkaktuar për mungesat e ilaçeve apo përdorimin e ilaçeve të skaduara etj., etj., vdekjet e qindra e fëmijëve të moshave të ndryshme, por këta janë monstrat e fëmijëve tanë sepse për të zbatuar urdhrin politik të Edi Ramës, jo vetëm paraqesin se krim virtytin e bamirësisë shqiptare, të dëshmuar në mënyrën më transparente dhe ligjore, por ata si monstra të fëmijëve tanë, në rastin konkret fëmijëve autikë, kanë vendosur në dosjen e tyre publike të aktakuzës ndaj meje duke shkelur çdo kod njerëzor dhe ligjor që mbron privatësinë e fëmijës, emrat e fëmijëve autikë, përfitues të bamirësisë.
Cilido që bën një gjë të tillë, dëshmon se ai ose ajo, edhe në rast se kanë fëmijë, nuk meritojnë dhe mund të quhen prindër, nënë ose baba, sepse nuk mund të quhen as njerëz, sepse ata nuk ngurrojnë të përdorin pushtetin që ua ka ngarkuar shoqëria dhe ligji, për të dhunuar si hiena privatësinë e qenieve më të pafajshme të kësaj toke, fëmijëve autikë.
Thashë se kjo treshe, që ka kryer këtë akt, në ligjet e vendit nuk mundet kurrë të shkelte privatësinë e fëmijëve, por edhe në kodin moral shqiptar të bamirësisë thuhet se atë që jep dora e djathtë si bamirësi, nuk duhet ta dijë dora e majtë. Po këta janë monstra të zhveshur nga çdo ndjenjë e njeriut të civilizuar.
Berisha shtoi në aktakuzën e tyre, “mercenarët e prokurorisë private të Edi Ramës” kanë sjellë si prova të korrupsionit të tij pasiv, ndihmën bamirëse që dhëndri dhe vajza e tij, Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë dhënë çdo vit duke paguar nëpërmjet bankës, me para të tatuara, disa familjeve në nevojë shpenzimet për trajtimin e fëmijëve të tyre autikë në qendrën rajonale të autizmit në Shqipëri, të Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, të drejtuar nga Liri Berisha.
Në aktakuzën e tyre, monstrat e fëmijëve tanë nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro.
Nuk është zakon kurrë të falënderosh publikisht familjarët, por nuk mund të ndalem pa i falënderuar me shumë mirënjohje Abin dhe Argitën sepse kanë mbajtur, kanë vazhduar traditën më fisnike të shqiptarëve, bujarinë dhe bamirësinë, e cila ka pasur në kohëra vlerësimet më të larta.



