Kreu i Kuvendit të Portugalisë-Ruçit: Mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj evropiane

Kreu i Kuvendit të Portugalisë-Ruçit: Mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj evropiane

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, mbajti një video-konferencë me kryetarin e Asamblesë së Republikës së Portugalisë, Eduardo Ferro Rodrigues. Takimi i së mërkurës erdhi në kuadër të përfundimit të Presidencës portugeze të BE-së.

Në Konferencë morën pjesë edhe kryetari i Komisionit të Çështjeve Europiane, Luís Capoulas Santos.

Në fjalën e tij, kryeparlamentari Ruçi vlerësoi kontributin e Presidencës Portugeze për nxitjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Presidenca Portugeze e ka mbajtur çështjen e zgjerimit në krye të agjendës së saj. Vendimi i Këshillit Europian, në mars 2020, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë ka shtruar rrugën për hapin tjetër në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, atë të konferencës së parë ndërqeveritare”, tha ai.

Po ashtu, Ruçi vlerësoi edhe përpjekjen e Portugalisë për të zgjedhur ngërçin midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Jemi gjithashtu mirënjohës për përpjekjen e saj të palodhur, për të ndërmjetësuar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në zgjidhje të mosmarrëveshjeve të tyre”.

Ruçi theksoi edhe arritjet konkrete të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Sipas tij, “këto arritje kanë shërbyer si nxitje për demokratizimin e Shqipërisë, konsolidimin e institucioneve dhe sidomos për forcimin e shtetit të së drejtës”.

Ai e mbylli fjalën e tij, duke shpresuar që Këshilli i Evropës të miratojë sa më shpejt një datë për Konferencën Ndërqeveritare.

“Shqipëria shpreson që Këshilli do të mund të miratojë me shpejtësi kuadrin negociues dhe të vendosë datën për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Kjo do të shërbejë për të ecur më tej drejt reformave më të thella dhe gjithëpërfshirëse, si dhe për t’u bërë një mjet për të përmbushur më mirë të gjithë kriteret e anëtarësimit”.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Asamblesë së Republikës të Portugalisë, Eduardo Ferro Rodrigues, përgëzoi Ruçin për arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian.

Ai, gjithashtu, shtoi se Portugalia ka qenë dhe do të jetë “një mbështetëse e pranimit të Shqipërisë në familjen evropiane”.

Rodrigues përmendi hapat pozitivë të Shqipërisë, të bëra kryesisht vitet e fundit dhe tha se Shqipëria duhet të bëhet pjesë e BE-së.

“Shqipëria është një partnere e Portugalisë në NATO dhe ka treguar pjekuri në drejtimin me sukses të Presidencës së OSBE-së, si edhe me zgjedhjen si anëtare jo e përhershme e KS të OKB-së për vitet 2022-2023”. “Evropa nuk do të jetë kurrë e plotë pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor”.

Kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane, Luís Capoulas Santos, theksoi se Portugalia mbështet Shqipërinë në mbajtjen e Tryezës së Parë Ndërqeveritare, sepse “është një vend i denjë për t’u anëtarësuar sa më shpejt në BE”.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy