Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të kenë të njëjtën rrugë sa i përket procesit të Integrimit. Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, ka deklaruar se si kryesues të Presidencës së Bashkimit Evropian kanë planifikuar mbajtjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave brenda këtij viti si për Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Shqipërinë, ai ka thënë se do të varet nga kushtet.
Këto deklarata, Maas i bëri gjatë fjalës së mbajtur në Berlin në konferencën me temë “Të rinjtë, migracioni dhe sfida demografike në Ballkanin Perëndimor”.
“Ne hapëm dyert për bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi në plan që Konferencën e Parë të Anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut ta mbajmë para mbylljes së Presidencës Gjermane. Dhe, nëse kushtet do ta lejojnë, edhe me Shqipërinë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Gjermanisë.



