
Presidenti Ilir Meta, referuar raportit të Guarda di Finanza, thotë se shtimi për të dytin vit radhazi i kultivimit të kanabisit vjen pasi në prill janë zgjedhjet. Sipas Metës kjo ndodh për të fuqizuar grupet kriminale, të cilat më pas ndihmojnë për fitoren në zgjedhje.
Presidenti thotë që i kishte kërkuar autoritëtëve më herët për të ndërhyrë, për shkak se lufta kundër drogës është kusht për të hyrë në BE.
“Asnjë surprizë! Shtimi i kultivimit të kanabisit, me afrimin e zgjedhjeve, është kthyer tashmë në traditë.
Është një “koncension” për grupet kriminale, që në këmbim të përfitimeve kolosale nga kanabisi, u kërkohet nga ortakët në pushtet “kontrolli elektoral” i Qarqeve.
Që prej publikimit të raportit të fundit vjetor të Qendrës Europiane të Drogave, i kam bërë thirrje Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese të përqëndrohen seriozisht në luftën kundër këtij fenomeni kanceroz, që aq shumë e ka dëmtuar shoqërinë tonë dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Lufta kundër drogës është kusht për integrimin europian.
Askush të mos mendojë, lëre më të guxojë, që me paratë e kanabisit, të deformojë vullnetin e shqiptarëve në 25 prill 2021 dhe të pengojë të ardhmen europiane të shqiptarëve.
Grupet kriminale dhe ortakët e tyre në pushtet janë të identifikuar!”-shkruan Meta.



