
Komisioni i Venecias ka dhënë vlerësimin për projektligjin për procedurat kalimtare të pronësisë, duke e konsideruar si të paqartë. Të njejtin mendim ndau sot në reagimin e saj, ish deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cila theksoi se Partia Demokratike të vijë në qeveri, do të pezullojë të gjitha ligjet anti-kushtetuese, që sipas Tabakut, u mohojnë të drejtën e pronës pronarëve të vërtetë.
Mes të tjerash, ish-deputetja Tabaku tha se edhe Komisioni i Venecias ndan të njëjtin opinion si opozita, që çdo ligj për pronën i kësaj qeverie është kundër pronarëve dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.
Ndërkaq, Tabaku duke iu referuar Komisionit të Venecias, tha se ligji i ri për tokat është në kundërshti më të drejtat e njeriut dhe nuk merr parasysh konventat ndërkombëtare.
“Komisioni i Venecias ka dalë në përfundimin se edhe ligji i ri për “Tokën”, është në kundërshti me të drejtat e njeriut dhe nuk merr parasysh të drejtat e sanksionuara në konventat ndërkombëtare të njeriut”, tha ish-deputetja Tabaku.
Gjithashtu, Jorida Tabaku u ndal tek plani që Partia Demokratike i ka sugjeruar Komisionit të Venecias për të zgjidhur problemin e pronave.
“Me vetëdijen se gjatë qeverisjes sonë nuk i dhamë zgjidhje çështjes së pronës, Partia Demokratike e ka njohur Komisionin e Venecias me një plan të ri të opozitës për të zgjidhur problemin e pronave.
Partia Demokratike në qeveri do të pezullojë të gjitha ligjet anti-kushtetuese, që mohojnë të drejtën e pronës si Ligji Investimeve Strategjike, Ligji për Kompensimin e Pronës të vitit 2015, Ligjin e Kadastrës dhe ligjet e tjera në lidhje me pronën. Partia Demokratike në qeveri do të krijojë një bazë të dhënash me të gjitha pronat publike që sot jepen për 1 euro, por në vend që t’u jepen pronarëve, shfrytëzohen nga oligarkët”,tha Tabaku.



