
Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, thotë se me bllokimin e punës së mëtejshme për hetimet e aferës së inceneratorëve, PS po bëhet mburojë politike e Lefter Kokës.
Tabaku doli me një deklaratë për mediat pasi përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk votuan për zgjatjen e punës së komisionit për hetimet ndaj aferës së inceneratorëve.
“Fatkeqësisht PS votoi kundër aferës së inceneratorëve. Për 3 orë u përpoqa që kolegët t’i thërrasin arsyes dhe të votojnë planin. PD prezantoi sot një plan hetimi me 20 dëshmitarë. Për ditë më radhë kam kërkuar informacion nga institucionet shtetërore. Ky komision ka një fitore të vogël që është arrestimi i Lefter Kokës. Por në zbatim të ligjit dhe vendimit të Kuvendit PS duhej të na lejonte ne ta vazhdonim këtë hetim. Sot PS doli mburojë e Lefter Kokës. Sot flasim për një grup të strukturuar kriminal dhe mbrojtjen politike që po i jepet kësaj afere. Ndryshe ky refuzim nuk justifikohet. PD është e vendosur që ta vazhdojë denoncimin e kësaj afere, denoncimet në SPAK deri kur personi i fundit, Edi Rama të shkojë para drejtësisë”, tha ajo.



