Kryeministri i vendit, Edi Rama është pritur këtë të hënë nga Presidenti francez Francois Hollande në hyrje të pallatit Elysee. Sipas protokollit zyrtar ka qenë vetë Presidenti francez ai që i ka uruar mirëseardhjen Ramës në shkallët e pallatit presidencial, pak pasi ky i fundit doli nga automjeti i tij. Pas një shtrëngimi duarsh dhe fotove të rastit, Hollande ka akomoduar kryeministrin e Shqipërisë në ambjentet ku do mbahet Samiti.
Vizita e Ramës në Paris është e gjitha në funksion të punimeve të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim kryesor të samitit në Elysee pritet të jenë të pranishëm dhe personalitete të larta të politikës europiane si Kancelarja gjermane, Angela Merkel si dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini.
Më herët Kryeministri Rama zhvilloi dhe një takim me Komisionerin për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Johanes Hahn.



