
Kuvendi ka miratuar ligjin për dhënie amnistie për 175 të burgosur. Po ashtu, nga kjo amnisti 29 gra përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit.
Seanca plenare e Kuvendit e miratoi amnistinë me 102 vota pro nga deputetët, 1 abstenim, 2 kundër dhe 3 të cilët nuk votuan.
Ndryshe nga amnistia e vitit 2016, këtë herë amnistohen vetëm të dënuarit me vendim penal të formës së prerë të vënë në ekzekutim, ose për të cilët ka filluar ekzekutimi i vendimit penal. Nuk parashikohet dhënie amnistie për çështjet në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat si dhe për kallëzimet që ndodhin.
Nga 5351 të dënuar dhe të paraburgosur, 2632 prej të cilëve janë të dënuar me vendim të formës së prerë, nga këta të fundit, 175 përfitojnë amnisti. Janë 150 meshkuj dhe lirohen menjëherë, 23 të dënuara femra dhe dy të mitur, ndërsa 29 gra dhe vajza të tjera përfitojnë ulje të 1/3 së dënimit.



