
Mbi 300 mijë euro është dëmi nga buxheti i shtetit të Kosovë deri me tani, duke u paguar pagat e dhjetë deputetëve serbë nga dhjetori i vitit 2022 deri më 30 prill të vitit 2024.

Ata paraqiten në seancë një herë në gjashtë muaj, megjithatë paguhen për punën që nuk e bëjnë. Pas nënshkrimit nuk qëndrojnë në sallën plenare, por në këtë formë ruajnë mandatin e deputetit.
KosovaPress ka siguruar të dhënat e pagesave për nëntë deputetët e Listës Serbe dhe të një deputeti të pavarur, të cilët po vazhdojnë të paguhen ani pse të njëjtit po bojkotojnë organin më të lartë legjislativ.
Partitë opozitare konsiderojnë se kjo është e papranueshme dhe në dëm të buxhetit të Kosovës. Edhe organizatat joqeveritare të cilat monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës, thonë se po cenohen interesat e qytetarëve.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj konsideron se qeveria do të ishte dashur të diskutojë me deputetët e Listës Serbe.
Normalisht që është në dëm të buxhetit të Kosovës, sepse ata nuk po participojnë në Kuvend dhe nuk po japin atë që duhet dhënë për qytetarët e Kosovës dhe po paguhen pa ardhur fare por vijnë një herë në gjashtë muaj sa për të mos humbur mandatin…Është e padrejtë për ata deputetë që vijnë vazhdimisht në seanca dhe komisione dhe ata nuk po marrin pjesë as në komisione e as në seanca parlamentare.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku thotë se bojkoti i deputetëve serbë është i papranueshëm.
Është e papranueshme, normalisht që është e papranueshme. Sepse ata vijnë pak para se të bëjnë gjashtë muaj, vetëm nënshkruhen për të ju vazhduar mandati. Dhe kjo është e rregulluar, mirëpo është e papranueshme dhe është dashur të koordinohet me aleatët tanë dhe Listën Serbe mos me leju që të paguhet me taksat e qytetarëve tanë.
Ligji për Festat Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare e Ligji për Arsimin e Lartë nuk po arrijnë të kalojnë procedurat në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së deputetëve të Listës Serbe.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) pohon se po cenohen interesat e qytetarëve të komunitetit serb.
Në këtë drejtim, si IKD konsiderojmë që ata janë duke e cenuar dhe duke mos i përfaqësuar interesat e qytetarëve të komunitetit prej nga vijnë. Kemi disa prej projektligjeve me interes vital për të cilat Kushtetuta e Kosovës ju ka garantuar atyre pjesëmarrjen më speciale në procesin e votimit, në anën tjetër këto të drejta nuk i shfrytëzojnë. Ligji për Liritë Fetare, Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Festat Zyrtare janë tri ligje të cilat nuk po arrijnë të kalojnë për shkak të mungesës së tyre në procesin e vendimmarrjes”, deklaron Jakaj.
Përveç në seanca plenare, Jakaj shton se deputetët serbë po bojkotojnë komisionet dhe kryesinë e Kuvendit.
Nëntë deputetët nga radhët e Listës Serbe janë: Millan Joksimoviç, Nenad Radenkoviç, Olivera Zdravkoviç, Millan Kostiq, Zoran Maksimoviç, Svetisllav Gjokiq, Ksenija Bozhoviç, Radosh Mihajlloviç dhe Biljana Makshiq ndërsa, Cvetko Velkoviç është deputet i pavarur.
Hera e fundit që deputetët serbë u paraqiten në sallë plenare ishte më 8 shkurt. Këta i morën mandatet e tyre në nëntor të vitit 2022, kur paraardhësit e tyre dhanë dorëheqje.
Komuniteti serb i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin me 120 anëtarë.



