Kreu i PD Sali Berisha denoncoi sot kryeministrin Edi Rama dhe INSTAT-in, se sipas tij po mashtrojnë hapur duke përllogaritur si eksporte mallrat që kalojnë transit për në Kosovë.
“Çfarë akti monstruoz ka bërë Edi Rama me Institutin e tij të Statistikave për të fshehur këtë dramë të madhe të ekonomisë shqiptare, të shkaktuar nga narkoeuro. Nuk duhet të harrojmë një gjë, eksporti është baras prodhim, baras punësim më shumë se çdo sektor tjetër. Falimentimi i qindra dhe mijëra sipërmarrjeve të eksportit do të thotë humbja e dhjetëra mijëra vendeve të punës.
Unë u them ju, se vite më parë, vetëm në industrinë e këpucëve ka pasur nga 80-100 mijë punëtorë. Natyrisht evoluon eksporti. Pra, kjo rënie dramatike ka sjellë shpunësimin dramatik të shqiptarëve dhe largimin nga Shqipëria. Tani, 2-3 javët e fundit, ekspertë lakej të qeverisë kanë filluar të flasin për rritje të eksporteve. Rritje të ndjeshme të eksporteve, në një kohë kur edhe këtë vit, eksportet kanë rënie 7 përqind.
Çfarë është rritja e eksporteve sipas Edi Ramës dhe INSTAT-it të tij? Askush nuk mund ta besojë këtë mashtrim të paskrupullt. Ata quajnë eksporte mallrat transit që nga Durrësi kalojnë në Kosovë, që janë importe të mirëfillta të Kosovës. Pra, importet e Kosovës, naftë në radhë të parë, por edhe importe të tjera, të cilat shkarkohen në Durrës për t’u transportuar me korridorin rrugor drejt Kosovës, Edi Rama dhe instituti i tij i turpshëm, i shpall ri-eksporte. Në botë, kjo është e para herë që dëgjohet. Domethënë rritet importet në Kosovë, ato shndërrohen në eksporte për Shqipëri”.



