Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë rubrikës “Sy më Sy” se në Shqipëri korrupsioni më shumë seç është luftuar kurrë ndonjëherë tjetër.
Sipas kreut të qeverisë për herë të parë në historinë e Shqipërisë po ndodh që njerëz të lidhur me pushtetin politik thirren nga prokurorë dhe gjykatës të pavarur nga pushteti politik.
“Siç e shihni, korrupsioni në Shqipëri po luftohet më shumë seç është luftuar kurrë ndonjëherë tjetër, për herë të parë në historinë e Shqipërisë po ndodh që njerëz të lidhur me pushtetin politik thirren nga prokurorë dhe gjykatës të pavarur nga pushteti politik, për herë të parë, dhe kush thotë që kjo nuk ka lidhje me mua dhe Partinë Socialiste nuk thotë të vërtetën. Jemi pikërisht unë dhe Partia Socialiste që e kemi sjellë këtë risi historike në jetën shqiptare, që nga 1912 kur është ngritur flamuri i pavarësisë dhe kur është krijuar qeveria e parë dhe deri para pak vitesh në Shqipëri kurrë një person i lidhur me pushtetin politik nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi e pavarur; janë pushkatuar, po, ministra edhe janë varur në litar, por me urdhër nga kjo zyrë këtu. Këtu në këtë zyrë gjendej shpata, shpata që duhet të rrijë gjithmonë në dorën e zonjës së drejtësisë. E kishte pushteti politik, ne e dorëzuam shpatën, kështu që ky është kulmi i vullnetit për të luftuar korrupsionin. Kush thotë diçka tjetër dhe flet ndryshe, flet gabim, këtë di të them unë”.



