Në Podgoricë, lëvizjet e fundit politike kanë shkaktuar debate për qëndrueshmërinë e qeverisë. Nënkryetari i Lëvizjes “Evropa Tani” Jakov Milatoviç, aktualisht president, dha dorëheqje nga të gjitha pozitat në parti.
Kur themeluam Lëvizjen Evropa Tani, ne u premtuam qytetarëve transparencë në punë, dialog racional dhe të arsyetuar rreth politikave që janë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Mënyra aktuale e punës është në kundërshtim me premtimet dhe vlerat që kam pasur parasysh në krijimin e Lëvizjes. Për këtë arsye po jap dorëheqjen nga të gjitha pozitat.
Në reagimin e tyre zyrtar, lëvizja “Evropa Tani” shkroi se është mirë që Milatoviçi e kuptoi kohën kur duhej të largohej.
Është e rëndësishme që, për hir të Malit të Zi, më në fund, Milatoviçi të fillojë të punojë në interes të qytetarëve në vend të promovimit personal.
Ndërkohë, socialdemokratët në opozitë thanë se dorëheqja përfaqëson vetëm fillimin e përçarjes së këtij grupimi i cili përfaqëson interesat e Aleksandër Vuçiçit në Podgoricë.
Jakov Milatoviç dhe Milojko Spajiç janë përgjegjës në mënyra të ndryshme për faktin se shumica parlamentare është konceptuar që të jetë plotësisht e varur nga politika e Andrija Mandiçit dhe, për rrjedhojë, absolutisht servile ndaj interesave të Aleksandër Vuçiçit dhe Beogradit zyrtar.
Për disa analistë të politikës në Mal të Zi, dorëheqja e presidentit nga funksionet në parti ishte e pritshme, por mund të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.



