Komisioni Statutor në Partinë Demokratike miratoi sot propozimet e Lulzim Bashës për rregullat bazë të partisë më të madhe të opozitës.
Draftet e tjera të propozuara nga Edith Harxhi e Fatbardh Kadilli e që parashikonin edhe largimin e kryetarit në rast se humbet zgjedhjet, u hodhën poshtë.
Fill pas kësaj, anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli ka reaguar lidhur me vendimin e Komisioni për ndryshimet statutore, i cili miratoi vetëm draftin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Kadilli u shpreh se “debati për ringritjen e PD nuk mbyllet me vendime anti-statutore të Komisionit Statutor. Sot Komisioni ka vendosur se cilat nga ndryshimet që janë propozuar duhet t’i përcillen Kuvendit Kombëtar. Ky është tagër i Kryesisë dhe jo i Komisionit. Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim”.
Ai shtoi se “propozimet e mia që burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD, ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë. Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet. Ky vendim i shumicës së anëtarëve të Komisionit sot dëshmon qartë vijimësinë e mos reflektimit për domosdoshmërinë që ka sot PD për të ndryshuar thellësisht, për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha që ka përballë opozita”.
“Me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon. Kryesia ka nesër ka shansin që me guxim dhe përgjegjshmëri politike të marrë vendimet që presin demokratët. Kuvendi Kombëtar duhet të shërbejë për çeljen e proceseve politike dhe jo për mbylljen e tyre”, tha ai.



