
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, në seancën e sotme plenare kanë votuar sot gjashtë anëtarët e rinj të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA), duke miratuar kështu projektvendimin “Për zgjedhjen e gjashtë anëtarëve të AMA-s”.
Bëhet fjalë për Desada Metaj, e cila u votua me 99 vota, Besjan Zogaj dhe Jetmir Halilaj me 101 vota. Gjithashtu, deputetët kanë miratuar edhe Gjergj Hamitin me 92 vota, Joana Allushi me 118 vota dhe Aurela Bicja me 99 vota.
Mes gjashtë emrave është spikatur kryeredaktori gazetës Panorama Sport, Jetmir Halilaj, pastaj i biri i shkrimtarit dhe politikanit Preç Zogaj, Besjan Zogaj dhe ish- gazetares dhe këshilltares për Median dhe Komunikimin të Bashës, Desada Metaj.
AMA, që prej vitit 2019 ka qenë me tre vakanca, ndërsa tre të tjera u krijuan në vitin 2021.
Po ashtu Kuvendi miratoi projektvendimin “Për miratimin e listës së dytë në bllok të kandidatëve të përzgjedhur për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, i cili mori 75 vota pro, 1 kundër dhe 5 abstenim.
Për shkak të mosarritjes së shumicës së kërkuar, të dyja listat në bllok nuk u miratuan dhe çështja iu rikthye nënkomisionit, për të miratuar listën e re, sipas procedurës së parashikuar në ligj.



