Partia Socialiste ka propozuar datën 9 maj për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare që priten të mbahen në vitin 2021.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i sugjeroi presidentit Ilir Meta që ta marrë në konsideratë këtë datë.
“Kur sezoni i zgjedhjeve ka ndryshuar, 9 maj i 2021-it është një datë kuptimplotë për zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Ditë historike e simbolike, pasi përkon me Ditën e Europës. Ndaj presidenti i Republikës, ta shqyrtojë këtë datë, dhe ne socialistët do jemi të kënaqur, pasi është dita e fitores kundër Nazi-Fashizmit", tha Balla për mediat.
Pak ditë më parë, presidenti Meta u shpreh se do të shpallë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2021 “menjëherë pas miratimit të Reformës Zgjedhore, pa u konsultuar me asnjë parti politike".
Sipas Kodit Zgjedhor që është në fuqi, në nenin 9, pika 2 Presidenti i Republikës ka të drejtë për të shpallur datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj para.
Koha e zgjedhjeve është zhvendosur me fashën e re 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor. Duke marrë në konsideratë zgjedhjet në pranverë, pra në fashën e parë, presidentit i lejohet që të shpallë datën e zgjedhjeve të reja për vitin e ardhshëm edhe në ditën e parë pas marrëveshjes, pra që në fillim të qershorit nëse dëshiron.
Ndërkohë që nga opozita, ende nuk ka ndonjë deklaratë në lidhje me ndonjë datë të preferuar për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.
Por çfarë është 9 maji, Dita e Fitores? Kjo ditë përkujton dorëzimin e Gjermanisë naziste në vitin 1945.
Për herë të parë u festua në 15 republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, pas firmosjes së Aktit të Kapitullimit nga Gjermania në mbrëmjen e 8 majit të vitit 1945, por pas mesnate sipas orës së Moskës.
Bashkimi Sovjetik lajmëroi fitoren më 9 maj, pas përfundimit të ceremonisë në Berlin. Kjo datë u kthye në ditë pushimi vetëm në disa repubika sovjetike.
Në 1975, u festua Dita e Fitores sipas stilit sovjetik në ish-Bashkimin Sovjetik.
Federata e Rusisë e ka njohur zyrtaritsht datën 9 maj, që nga formimi i saj në vitin 1991 dhe e konsideron si ditë pushimi. Kjo datë festohet në të njëjtën mënyrë, si edhe gjatë kohës së ish-Bashkimit Sovjetik.
Ndërsa shumcia e shteteve evropiane, festojnë 8 majin si ditën e kapitullimit nazist, në atë që njihet si Fitorja në Ditën e Evropës.



