
Njollosja me bojë e kryeministrit Rama mund t’i kushtojë deputetit Paloka detyrën si nënkryetar Kuvendi. Partia Socialiste do të depozitojë në në Kuvend një kërkesë për shkarkimin e tij si nënkryetar. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi turp incidentin e ndodhur sot në sallë, në praninë e kryeparlamentarit të Maqedonisë.
“PD kryen atë akt të turpshëm në sy të Talat Xhaferit. Gjithcka u bë në një seancë solemne si është momenti i votimit të marrëveshjes për anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe në prezencën e një miku të vyer jo se është kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut por se është personalitet i rëndësishëm i shqiptarësisë. Berisha ia ka marrë dorën që çadrën ta bëjë pistoletë dhe shiringën ta bëjë stilograf. Të bëhen hetimet për turpin që kreu nënkryetari i Kuvendit. Garda të bëjë hetimet e veta për turpin që bëri nënkryetari i Kuvendit. Ne do të depozitojmë kërkesën për shkarkimin e Palokës si nënkryetar i Kuvendit”, tha Balla.



