
Takimi me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe krerët e partive opozitare në Kosovë, sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte për kryefjalë, veriun e
Haradinaj i cili ishte ftuar nga Escobar në darkën e organizuar në rezidencën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje rreth zbatimit të sundimit të ligjit në Veri të Kosovës.
“SHBA-të janë aleat dhe mik i besueshëm dhe së bashku do ta ruajmë paqen dhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale.
Ndryshe Escobar, para se të takohej me tre liderët opozitar – Memli Krasniqin (PDK), Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ramush Haradinajn (AAK), ishte pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Zyren e Presidentes.
Takimi ka qenë i mbyllur për gazetarë dhe nuk ka pasur konferencë për media pas takimit.
Temë e takimit, siç është njoftuar, është dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, veçanërisht situata e fundit në Veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të presë sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ardhja e Escobar në Kosovë dhe qëndrimi në Bruksel në kohën kur po ndodhte takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përbën përfshirjen më intensive të SHBA-ve në dialog prejse ka filluar i njëjti para 11 vjetësh.



