
Kreu i opozitës Sali Berisha komenton vrasjet e fundit në vend dhe thotë se Edi Rama kërkon të forcojë pushtetin e tij përmes krimit drogës dhe mafies.
Në konferencën e përjavshme për mediat, Berisha tha se gjatë kësaj jave shqiptarët kanë parë se rendi dhe siguria e tyre janë tërësisht në dorë të bandave dhe krimit, ku në një hark kohor prej 12 orësh u përgjakën rrugët e Sarandës, Elbasanit dhe Panajasë në Vlorë.
Nuk dua të marr hua një shprehje në të cilën policia rezulton për të numëruar gëzhojat, por dua të them se rezulton për të na thënë se vrasësit u zhdukën në drejtim të paditur.
Substrakti i këtyre përgjakjeve, vrasjeve, qëndron në faktin se janë bandat e krimi që kontrollojnë në çdo qelizë këtë shtet, janë shteti real i këtij vendi. Platforma zyrtare e Edi Ramës për luftën kundër krimit është ‘hani sa më shumë kokat e njëri tjetrin’.
E thotë këtë një Kryeministër që qeveris në një vend që ka firmosur konventa ndërkombëtare dhe ka ndaluar me kushtetutë dënimin me vdekje. Atë që shteti e ka ndaluar kryeministri i inkurajoi bandat me thirrjet e tij për vrasje.
Berisha shtoi se e dënon me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim, duke garantuar se qëndrimi i opozitës është zero tolerancë ndaj krimit.



