
Kryetari i Partisë Demokratike dhe Aleancës “Shqipëria Madhështore” zhvilloi sot një takim me fermerët në Elbasan.

Gjatë takimit, Berisha theksoi se në programin e “Shqipëria Madhështore” parashikohet pesëfishimi i subvencioneve për fermerët.
Do të dyfishojmë buxhetin për këtë sektor dhe do të 4-5fishojmë subvencionin për fermerët, do të subvencionojmë çdo hektar të mbjellë, çdo njësi prodhimi, çdo kokë, bagëti dhe çdo fidan të mbjellë. Do të japim kredi me garanci 80% nga shteti.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se nën qeverisjen e tij, shkatërroi bujqësinë dhe zëvendësoi produktet vendase me ato të importit.
Ju nuk jeni më pak punëtorë se sa fermerët e Maqedonisë, të Kosovës, apo të Serbisë, ose të Malit të Zi. Jo, ju jeni shumë punëtorë. Dhe sigurisht, ju doni që fermat tuaja, serrat tuaja, stallat tuaja, të ecin përpara, t’u begatojnë, të pasurohen. Por, kjo nuk ndodh. Sepse, me politikën që ndoqi kjo qeveri, ishte një politikë shkatërrimtare. Hapi kufijtë, doganat për prodhimet e Serbisë, Maqedonisë, fermerë të të cilave, subvencionohen nga 5 gjer 8 herë më shumë se ju. Pra, në qoftë se ju merrni 100 euro subvencion, fermeri në Maqedoni merr 500 euro subvencion, fermeri në Kosovë merr 400 euro subvencion, fermeri në Serbi merr 700 ose 800 euro subvencion. Ky është realiteti. Kjo është e vërteta!.
Sipas demokratëve, socialistët gjatë kësaj fushate elektorale nuk kanë bërë asnjë premtim për fermerët, ndryshe nga PD, që sipas Berishës, do ta ketë prioritet reformën rrënjësore të këtij sektori nëse vjen në pushtet.



