Kryeatri i Partisë Socialiste të Tiranës, njëkohësisht ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri, zhvilloi një takim me të rinjtë e Kamzës, ku tha se ky qytet ka mbetur peng i politikës. Duke u ndalur tek reformat e kryera këtë mandat qeverisës, Tahiri nënvizoi se zgjidhja është tek ndërtimi i një shteti funksional. Ai kërkoi veçanërisht nga të rinjtë t’i bashkohen Partisë Socialiste e të hedhin prapa krahëve mbështetjen për parti, që u kanë marrë vetëm votën dhe i kanë gënjyer.
“ Çdo fushatë është bërë zakon vijnë ju trokasin te dera dhe ju premtojnë që do ju marrin në punë. Ju premtojnë që do ju zgjidhin punë. Ka parti në Shqipëri që jetojnë vetëm me këtë qëllim. Premto dhe gënje se do fusësh në punë dhe se do zgjidhësh punë. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo nuk është Shqipëria që ju duhet ju, nuk është Shqipëria që duam ne. Asgjë e mirë nuk mund të ndodhë në këtë vend nëse nuk ndërtojmë shtetin. Asgjë nuk mund të bëhet nëse nuk kemi një shtet që funksionon e që mendon realisht për qytetarët.” u shpreh ai
Më tej Tahiri shtoi se prej shumë vitesh, qytetarët shqiptarë kanë vuajtur nga parti politike që i kanë parë vetëm për votat dhe asgjë më tepër.
“ Ky vend, Kamza përfshirë, kanë vujatur nga Parti politike që i kanë mbajtur peng. Kanë vuajtur nga ndarja që i kanë shtruar në tavolinë qytetarëve: o je me mua, ose je kundër meje. Kanë vuajtur nga historia, jemi bashkë, hajde bëhemi bashkë për votim dhe pastaj shohim e bëjmë. Dhe në fakt prandaj janë akoma problemet këmbëkryq edhe këtu, sepse kanë ardhur, kanë ikur. Janë sot ende në politikë. Kanë gënjyer dhe vazhdojnë gënjejnë, e kjo histori nuk mund të vazhdojë më.” tha Tahiri



