I dërguari i SHBA për misione të posaçme Richard Grenell, ka uruar popullin e Kosovës për 17-vjetorin e pavarësisë, ku në mesazh ka theksuar padrejtësinë që sipas tij po i bëhet Hashim Thaçit i cili ndodhet në paraburgim.
Në mesazhin e Grenellit në platformën "X" shkruhet:
“I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë një festë të gëzueshme dhe të sigurt në 17 vjetorin e pavarësisë së tyre. Ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë, jo pas hekurave në Hagë.
Evropianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në pesë vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie, për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”.
Në të njëjtën linjë është edhe kryeministri Edi Rama. Ndërsa ka shpërndarë mesazhin e Grenellit në “X”, Rama shkruan:
“Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë!”



