
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për media, ka deklaruar se me procesin e zgjedhjes së Bajram Begajt si President i Republikës, demokracia në Shqipëri është varrosur.
Lidhur me këtë situatë të krijuar, Berisha në emër të Partisë Demokratike, akuzoi kryeministrin Edi Rama.
PD deklaron se pas zgjedhjes me datën 6 qershor me votën e PS për presidentin, Rama vendosi në pushtetin e tij edhe institucionin e fundit. U varros sistemi demokratik i bazuar në ndarjen dhe balancën e pushteteve”.
Sipas tij, kjo gjë pas 31 viteve po vendos të gjitha pushtetet në duart e një force politike dhe të një njeriu të vetëm.
Krahasimin e Shqipërisë si shtet, Berisha e bëri me atë të një shteti monist, pikërisht për shkak se pretendon se pushtetet janë të gjitha në dorë të kryeministrit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të ngrihen në mbrojtje të idealeve demokratike dhe se PD konsideron jetike krijimin e një fronti opozitar të përbërë nga të gjitha partitë opozitare, shoqëria civile.
Kurrë ndonjëherë që nga diktatura e Enver Hoxhës nuk ka ekzistuar një gjë e tillë. Sot, të gjithë drejtuesit e komisionit parlamentar janë deputetë të PS në tërësi. Janë bërë me dhjetëra orë transmetimi, debatesh e lajmesh të lidhura me zgjedhjen e presidentit të ri me të cilën u firmos në mënyrë përfundimtare vendosja e monizmit, por nuk u bë në asnjë moment debat. PD i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të ngrihen në mbrojtje të idealeve demokratike.
Zgjidhja është sot më shumë se kurrë në duart e qytetarëve shqiptarë. PD konsideron jetike krijimin e një fronti opozitar të përbërë nga të gjitha partitë opozitare, shoqëria civile etj., të gatshëm për tu përballur me regjimin e Edi Ramës, i bëjmë thirrje të angazhohen me potencialet e tyre. I bëjmë thirrje miqve të Shqipërisë në Evropë e SHBA të ndërpresin mbështetjet për regjimin monist të Edi Ramës.
Ndërsa, akuzat, nuk i kurseu as ndaj ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Për Berishën, për shkak të bojkotit të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, edhe bashkitë i kanë të gjitha socialistët.



