Ambasadori turk Murat Yoruk nga qyteti i Shkodrës teksa ka folur për sulmet ruse në Ukrainë ka deklaruar se kjo luftë është e papranueshme. Ai u shpreh se Ministri i Jashtëm turk po bën çfarë është e mundur në mënyrë që sa më parë të pushojë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ai shton më tej se roli i Turqisë është që sa më parë të mbizotërojë paqja dhe askund të mos ketë luftëra.
Turqia po ndjek zhvillimet e fundit nga afër. Është e vërtetë që bota është e sprovuar dhe është gjendur përballë sfidave të mëdha, sidomos në 2 vitet e fundit të krijuara nga pandemia. Tani, kemi luftën e cila ka shpërthyer në Ukrainë. Për ne, si Turqi, është e papranueshme një lloj sulmi i tillë, e cila ka filluar nga Rusia. Nën direktivat e presidentit tonë, ministri i jashtëm, është duke u angazhuar në mënyrë maksimale që në Ukrainë 1 minutë e më parë të vendoset paqja dhe rendi, të pushojnë armët. Njëkohësisht, lotët e fëmijëve të pushojnë njëherë e përgjithmonë. Turqia është shumë e angazhuar me të gjitha përpjekjet e saj diplomatike që në një moment e më parë luftërat të mbarojnë dhe paqja le të mbizotërojë. I gjithë misioni i Turqisë ky është.
Deklaratën ambasadori turk e bëri nga Shkodra gjatë përkujtimit të fitores së Çankalasë në Turqi ku në atë luftë kanë rënë edhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh teksa u mbajtën homazhe pranë bustit të Hasan Riza Pashës në Shkodër.



