
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar sot kërkesën e kandidatit Ibsen Elezi për anulimin e zgjedhjeve në PD. Elezi, një ndër kandidatët në fazën e parë të garës për kreun e PD-së, më 23 maj u përjashtua nga kryesia e Partisë Demokratike, me argumentin se ka mbajtur qëndrime që dëmtojnë partinë.
Megjithatë, vendimi i sotëm i gjyqtarit Flamur Kapllani për rrëzimin e kërkesës nuk cenon padinë që Elezi ka depozituar në gjykatë për detyrimin e Partisë Demokratike për të pezulluar procesin e përzgjedhjes së kryetarit të ri të PD-së. Praktikisht, kjo do të thotë se kërkesa e Elezit nuk mund të bëhet pengesë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, por padia mbetet e hapur për shqyrtim. Në një moment të dytë, brenda afateve ligjore, gjykata mund ta shqyrtojë atë dhe nëse e sheh të arsyeshme, edhe të pezullojë zgjedhjet. Duke qenë se këto të fundit mbahen më 13 qershor, një vendim i tillë do t’i bënte ato nul, pavarësisht shpalljes së kandidatit fitues.
Në një intervistë për MCN TV, Elezi u shpreh sot se në një rast të tillë, dëmi që do t’i bëhej PD-së do të ishte i madh.
“Kërkesa u rrëzua, do të vazhdojmë me padinë. Kërkesa për anulimin, nëse padia del e suksesshme, i bie që PD-së t’i shkaktohet një dëm shumë i madh. Pra i bie të anulohen zgjedhjet”, tha ai.
Padia e Elezit
Për padinë e depozituar në gjykatë, të cilën MCN TV e disponon, Elezi niset nga rasti i tij si kandidat i skualifikuar, vendim të cilin ai e cilëson të padrejtë. Elezi thotë se i është cenuar e drejta për të kandiduar, ndërkohë baza juridike mbi të cilën është ngritur gara aktuale, është e paligjshme. Kjo sepse statuti i partisë ka pësuar ndryshime të herëpashershme, të cilat nuk janë depozituar në gjykatë, dhe rrjedhimisht janë të paligjshme.
Për herë të fundit, statuti i Partisë Demokratike është depozituar në gjykatë në vitin 2005. Por ai u është nënshtruar ndryshimeve të reja dhe statuti i fundit, ai i vitit 2018, nuk figuron në regjistrin e partive politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Statuti i vitit 2018, i cili përcakton procedurën e zgjedhjes së kryetarit në zgjedhjet e 13 qershorit, e ka skualifikuar Elezin nga gara, një skualifikim që ai e cilëson arbitrar, pasi pretendon se i plotësonte kushtet.
Në këtë mënyrë, beteja ligjore e Elezit, një ndër zërat e parë kundër Bashës pas humbjes në zgjedhje, do të vijojë, duke mbetur një mundësi e anulimit të fituesit, cilidoqoftë ai.



