Gazetari Basir Çollaku tha në MCN Live se ideja e konfederatës opozitare nuk është me vend, pasi nuk ndryshon gjë në përmbajtje, por vetëm në formë.
Çollaku vë në dukje se PD ka vuajtur nga hapja e brendshme, jo nga hapja e jashtme.
Opozita ka 52 deputetë gjithsej, 59 bashkë me aleatët. Nga PD kanë dalë edhe këta, edhe sot i shoh duke kërkuar federatë. Eksodi nuk është për arsye turistike, se dëgjova të thoshte ish-kryetari i opozitës. E shoh opozitën në vendin e saj dhe në rolin e saj. Nuk ka rëndësi nëse je në mbështetje të një lideri, apo një tjetër, ti je përfaqësues i atyre njerëzve që të kanë zgjedhur. Misioni i saj është të kërkojë hetim për çdo gjë, edhe presioni pozitiv ndaj Prokurorisë së Posaçme është i nevojshëm. Unë s’e shoh te dy emra opozitën, as Bardhi, as Berisha. Edhe 2 deputetë nëse janë, nëse përfaqësojnë vullnetin e votuesve, ata janë më shumë se mazhoranca. Opozita duhet të shtojë instrumentet. Ore ne kemi parë opozitën në Francë që i vë shkrepsen.
Nuk besoj se asnjë nga zotërinjtë është penguar të bëjë opozitë dhe të komunikojë me ndërkombëtarët. Ideja e një federate në një kohë që opozita e ka rritur peshën e saj, nuk më duket me vend. Më duket sikur hajde të bëhemi një kombëtare me Kosovën kur e ka arritur kualifikimin në Europian! Pse ta presim zgjidhjen nga ndërkombëtarët?! Ta presim nga shqiptarët. Nuk më pëlqeu ajo hyrja e deputetëve në komisione nga dritarja. Ajo derë që ndalon hyrjen e deputetëve të opozitës, ajo shembet.
Zotërinjtë që kanë idenë e federatës janë pjesë e koalicionit opozitar, nëse do të emërtohet ndryshe, çfarë do të ndryshojë?! Ajo që kërkon Mediu është formë, jo përmbajtje. Çfarë i shton opozitës në numra?! Nuk besoj se aktorët propozues me ndryshimin e logos do të sjellin më tepër. PD ka vuajtur nga hapja e brendshme, jo nga hapja e jashtme”.



