Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për rastin e Manjola Cakonit, një qytetare të prekur nga tërmeti, e cila u ankua në një intervistë televizive se qeveria e ka lënë pas dore dhe nuk i ka dhënë mbështetjen e duhur.
Znj. Cakoni në tërmetin e vitit që shkuar humbi bashkëshortin dhe vajzën e saj 15-vjeçare, ndërsa ajo së bashku me djalin Alesion arritën të shpëtonin.
Pas kësaj ngjarje, kryeministri Rama e dërgoi djalin e familjes, Alesion, në Itali në një vizitë simbolike, ku u takua me futbollistët e Juventus, për të shprehur mbështetjen ndaj të prekurve nga tërmeti.
Shefi i opozitës së bashkuar thotë se "teatri mizor për jetën e qytetarëve duhet të marrë fund".
Reagimi i kreut të PD-së erdhi pasi ditën e sotme, PD, publikoi një video ku znj. Cakoni thotë se dikush nga kryeministria e ka marrë në telefon familjen e saj për ta kritikuar për intervistën e dhënë.
Kryeopozitari thotë se kërcënimi, të cilit i referohet znj. Cakoni është një akt i ulët i një kryeministri që shkel çdo premtim. Ai thekson se faktkeqësia e familjes në fjalë u përdor për progagandë nga qeveria shqiptare, ndërsa më pas, atë e harruan fare.
“Por kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t'u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar. Është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua. Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj," shkruan Basha.
Shqetësimin e zonjës Cakoni fillimisht e publikoi ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, e cila theksoi se rrëfimi i saj demontoi totalisht serinë e tërë të telenovelës me regji dhe tutorial të tij dhe aktor kryesor Edi Ramën.



