I ftuar në MCN ish ministri i jashtëm Paskal Milo ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut Veliaj i cili akuzohet për disa vepra penale.
Ai u shpreh se për të thënë më tepër për këtë ngjarje pret vendimin përfundimtar të gjykatës, por që e cilësoi si një ngjarje të rëndë për PS dhe për qeverinë e saj.
Sipas tij SPAK duhet të shkojë dhe në nivele të larta nëse duhet, teksa theksoi se vota duhet të jetë ajo që do ndëshkojë një qeverisje të keqe.
Unë nuk preferoj të bëj komente për faktin sepse në Shqipëri jemi mësuar që bëhen arrestime të kësaj natyre, zhurmojnë media dhe opinioni publik dhe pastaj bien në qetësi sepse kemi parë dhe raste të tjera të kësaj natyre më pak apo më shumë të rëndësishëm se kjo dhe pastaj kemi përjetuar momente ç’tensionimi.
Jam nga ata njerëz që pres që fjalën ta thotë gjykata dhe refuzoj të bëjë komente që nesër në rastin e një vendimi gjykate mund të më nxjerrin të pabesueshëm. Por mund të them se politika shqiptare është e ndotur dhe kjo për fat të keq është e rëndë, politika shqiptare është e ndotur pistë. Nëse duhet të shkojë SPAK në nivele më të larta le të shkojë. SPAK është një institucion që po bënë drejtësi në Shqipëri me vështirësitë e tij të njohura, por që ka një mbështetje ndërkombëtare të konsoliduar.
I pyetur nëse ky arrestim do të ketë ndikim edhe në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Milo tha se çdo gjë në një shtet demokratik duhet të ndikojë.
Vota duhet të ndëshkojë ata që qeverisin keq, se ndryshe çfarë kuptimi kanë zgjedhjet nëse nuk ndëshkon vota. Në një ven realisht demokratik që funksionon, ngjarje të tilla çojnë deri në dorëheqjen e qeverisë, dhe patjetër siç ju thash kjo ngjarje në dimensionin e vetë aktual është shumë e rëndë për PS, dhe për qeverinë e saj. Do jenë shqiptarët në 11 maj që do e materializojnë.
Patjetër që ka pasur dijeni Rama, ai është njeriu i parë i ekzekutivit që informohet nga institucionet ligjbërëse dhe ligjzbatuese, është detyrë funksionale që ta informojnë kryeministrin për çfarë ndodh jashtë syve të opinionin publik. Ai ka gjithmonë informacione të specializuara.



