Partia Demokratike e cilëson vrasje mafioze ngjarjen e ditës së djeshme në Gardën e Republikës. Në emër të PD-së, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, akuzoi maxhorancën se po përpiqet ta shesë si skenar fantazie ngjarjen e të shtunës në garnizonin e Gardës së Republikës, ku shoferi i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, u gjet i pajetë brenda në makinë.
“Është vrasje mafioze, nuk është skenar fantazie siç do ta shesë kreyprokurori Rama. Rama e quajti skenar fantazie edhe transportin e drogës me avion. Ai tha se kriminelët në Parlament dhe bashki ishin skenarë makabër të opozitës. Kanabizimin e vendit e quajti skenar fantazie. Përfshirjen e Tahirit në trafikun dnërkombëtar të drogës me Habilajt e quajti skenar fantazie. Rama mohoi për 5 vjet dënimin e Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm, po mohon përfshirjen e Taulant Ballës në pastrimin e parave të drogës me 3.4 milionë euro. Mohimi i të vërtetave e la vendin jashtë Europës. Me të, dyert e Europës do të vazhdojnë të jenë të mbyllura”, tha Spaho.



