
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi kanë nënshkruar sot në Prishtinë një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
Kështu u bë e ditur në një konferencë për media ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj pas takimit me homologun malazez, Rasko Konjeviç.
Takimi sot ka qenë shumë i frytshëm, i domosdoshëm e kemi rikonfirmuar bashkëpunimin e fuqishëm që e kemi në mes dy shteteve tona, në nivel bilateral siç e nënshkruam edhe marrëveshjen bilaterale.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje për bashkëpunim, ngrit bashkëpunimin në shumë fusha të tjera edhe në aspektin ushtarak. Paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal janë jetike për shtetet e Ballkanit. Kjo është e ardhmja jonë, e ardhmja euro-atlantike.
Mehaj bëri të ditur se me ministrin malazez kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që prekë shumë fusha.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje ne zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes që është i domosdoshëm në asketin e sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në mes dy vendeve dhe në të mirë të rajonit.
Bashkëpunimi ynë do të shtrihet në shkëmbimin e përvojave profesionale e deri te angazhimi në mbështetje reciproke me kapacitete operacionale në raste të emergjencave.
Gjithashtu, ai përsëriti nevojën që Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e nismës rajonale A-5, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja.



