
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me studentët në qytetin e Durrësit. Gjatë diskutimit me studentët nga e gjithë Shqipëria, për strategjinë e re kombëtare për rininë, Kryeministri Rama tha se në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm do të financohet për laboratorët e informatikës për të gjitha shkollat.
“Sot ne vendosëm që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm të adresojmë me financim çështjen e laboratorëve dhe çështjen e mësimit të informatikës, nuk e di si është në shkollat tuaja konkretisht, sepse në një pjesë të konsideruesheme edhe vetë mësuesit e informatikës janë mësues matematike e fizike që plotësojnë orët, nuk mund të jetë vazhdimësia e klasave të informatikës. Ne do të fillojmë punën për të të plotësuar laboratorët, me qëllimin që plotësimi i laboratorëve të jetë një objektiv afatshkurtër dhe për të ndryshuar sistemin e të mësuarit të informatikës.
Nuk është e domosdoshme të jemi në një hapësirë për të ndarë opinionet tona dhe shqetësimet tona, sistemin e dhënies së mësimit të informatikës, që kemi objektivin ta nisim që në klasë të parë, do ta bëjmë një sistem të qendërzuar ku falë mundësisë së lidhjes në distancë, nxënësit duke patur mësuesin përkatës të marrin një pjesë të mësimeve nga lektorë të nivelit më të lartë. Mësimi mund të jepet lehtësisht nëpërmjet ekranit në klasën e informatikës. Kjo do të vlejë që nxënësit do të kenë një mësues kujdestar në distancë, kështu mësuesi i klasës do të trajnohet edhe ai vetë për këtë proces mësimor.
Ne sot kemi diskutuar vendosjen në dispozicion të programit të arteve dhe sporteve, të një financimi të veçantë, ku hyn edhe vullentarizmi dhe edukimi mjedisor. Për të gjitha këto ne do të kemi një pjesë të procesit që do të organizohet duke i dhënë mundësi shkollave të krijojnë rrethet e tyre sportive dhe artistike sipas dëshirave dhe talenteve dhe një pjesë tjetër do të jetë në shërbim të spontanitetit të nxënësve”, ka thënë Rama.
Përsa i përket bibliotekave në shkolla, Rama u shpreh se koleksionet janë shumë të varfra. Ai gjithashtu tha se ka filluar një proces me shtëpitë botuese për të përgatitur një koleksion të veçantë për shkollat, që do të plotësohet brenda një afati kohor 2-vjeçar.
“Shkollat që janë financuar nga qeveria shqiptare kanë përfunduar, ka filluar blloku i parë i financimit të BE, por edhe ajo do të bëhet. Ajo që kam vënë re te shkollat e reja, në më të vjetrat, aty ku ka biblioteka, përgjithësisht ka, koleksionet janë të varfra. Kemi filluar një proces me shtëpitë botuese, kemi përgatitur edhe një koleksion të veçantë për shkollat, edhe bibliotekat do t’i plotësojmë hap pas hapi, në një afat të arsyeshëm, është një objektiv jo afatgjatë, as afatshkurtër, në harkun e dy viteve do të plotësohen”, u shpreh Rama.



